Kryetari i Lëvizjes së re, Arian Galdini, ka bërë thirrje për ndërtimin e Këshillit Qytetar të Protestës, ku të gjithë qytetarët të bashkohen për të ngritur zërin ndaj padrejtësive që po u bëhen ditë pas dite.
Duke theksuar se është i gatshëm të bashkohet me të gjithë vullnetarët, përmes një statusi në Facebook ai shkruan se: “Këshilli Qytetar i Protestës do të ishte forma më demokratike dhe më e drejtë e bashkimit në liri dhe vullnetarisht të njerëzve me dinjitet të cilët duan të ngrenë zërin kundër padrejtësive.”
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Nëse unë si qytetari Arian Galdini ju them se duhet të ndërtojmë një Këshill Qytetar të Protestës e të bëhemi bashkë për të mbushur sheshet e protestës kudo e ngado në Tiranë e Shqipëri, a jeni të gatshëm?
Ju e dini që unë si person jam kategorikisht kundër Protestës si instrument i organizuar nga Partitë Politike.
Parimin tim nuk e shkel.
Arian Galdini si Kryetar i LRE nuk e thyen parimin e tij e nuk bëhet pjesë e asnjë proteste të asnjë forme.
Unë jam kategorikisht, vendosmërisht kundër protestave të organizuara nga Parti Politike.
Por si qytetar, e thjesht e vetëm si qytetar, unë jam i gatshëm të jem njëri ndër ju, bashkë me ju.
Përse të ndërtojmë një Këshill Qytetar të Protestës?
Këshilli Qytetar i Protestës do të ishte forma më demokratike dhe më e drejtë e bashkimit në liri dhe vullnetarisht të njerëzve me dinjitet të cilët duan të ngrenë zërin kundër padrejtësive.
Përse të protestojmë?
Të protestojmë kundër Grupit të Strukturuar Grabitqar tek Onkologjiku.
Të protestojmë kundër mizorisë e çnjerëzizmit në sistemin shëndetësor shqiptar.
Të protestojmë kundër Grupeve të Strukturuara Grabitqare në Bashki, Qeveri, Kadastër, Tatime, Dogana, Polici, e kudo e ngado ku na rrjepin e plaçkisin njerëz të shtetit e qeverisjes të cilët janë të zgjedhurit a emëruarit tanë, paguhen nga taksat tona, dhe në vend që të na shërbejnë, na shqyejnë pa mëshirë.
A jeni për Protestë?
A jeni për Këshillin e Protestës?
Kush është për Protestë e për Këshillin e Protestës, ju lutem shkruani me koment:
Unë jam për Protestë.
Bëjini edhe shpërndarje sa më shumë këtij Postimi.
/GazetaShqiptare