Sot është publikuar Progres Raporti për Shqipërinë 2024, ku pasqyrohet përparimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja theksoi në një reagim në rrjetet sociale se, “Progres Raporti për Shqipërinë 2024 dëshmon qartazi se rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është më e fortë se kurrë”,
Manja nënvizoi se, veçanërisht, në kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” Shqipëria ka treguar zhvillim të qëndrueshëm duke u ngritur me një shkallë vlerësimi.
“Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” shënon një tjetër shkallë vlerësimi, që i jep Shqipërisë një mbështetje të qëndrueshme në reformën e drejtësisë”, theksoi Manja.
“Kemi bërë hapa me vlerë për përfundimin e vetingut, mbrojtjen e viktimave të krimit dhe ofrimin e alternativave të dënimit për të miturit – drejt një sistemi më të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, nënvizoi Manja.
Ai theksoi se, “Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar plotësisht në kryerjen e “detyrave të shtëpisë” që burojnë nga progres-raporti i BE-së, si udhërrëfyesi i vetëm i Shqipërisë drejt integrimit në BE”.
Manja nënvizoi se, progresi i vazhdueshëm në zbatimin e reformave në drejtësi kanë forcuar përgjegjshmërinë në të gjithë sistemin e drejtësisë.
Ndër arritjet që evidentohen në raport Manja nënvizoi procesin e vetingut, i cili është afër përfundimit në shkallë të parë, me ndikim të përgjithshëm pozitiv në pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit.
Një tjetër arritje është fuqizimi i të drejtave themelore nëpërmjet miratimit të strategjisë për mbrojtjen e viktimave të krimit si dhe fuqizimi i aksesit në drejtësisë nëpërmjet një ndihme juridike gjithëpërfshirëse dhe të kudondodhur.
Në progresraport evidentohet edhe zhvillimi i alternativave të dënimit, ku shërbimi i provës është funksional dhe ofron alternativa për dënimin, sidomos për të miturit. /ata