Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka paralajmëruar luftimin me çdo kusht të mekanizmave të kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë në Kosovë, pas aksionit të sotëm për kapjen e kamerave spiunuese në veri.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se sot janë identifikuar dhe sekuestruar dy kamera të kamufluara në dy lokacione dhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
“Koha e kontrollit të veriut të vendit tonë nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë ka përfunduar. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë si çdo kund në Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.
/KosovaPress/