Ish-shefi i inteligjencës gjermane, August Hanning, ka akuzuar Ukrainën dhe Poloninë për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit sabotues në tubacionet e gazit Nord Stream në vitin 2022.
Hanning, i cili drejtoi BND-në midis viteve 1998 dhe 2005, tha për mediat lokale se një sulm kaq i madh sabotazhi nuk mund të ishte vepër vetëm e një instruktori zhytjeje dhe ekipit të tij, duke pretenduar se shërbimet sekrete polake dhe ukrainase duhet të kenë qenë të përfshira.
“Sipas rezultateve të hetimit gjerman, ai u krye nga një ekip ukrainas dhe kur shikojmë hartën, mund të kuptojmë se kjo mund të jetë e mundur vetëm me mbështetjen e Polonisë”, tha ai për grupin mediatik Die Welt.
Hanning argumentoi se ekipi ukrainas i sabotimit duhet të ketë marrë mbështetje logjistike nga autoritetet polake teksa udhëtonte apo sillte pajisje dhe eksplozivë në Detin Baltik.
“Vendime të këtilla nuk merren në nivelin tonë, ato janë vendime të marra në nivelin më të lartë politik dhe besoj se ka pasur një marrëveshje midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit polak Andrzej Duda për t’u kryer ky sulm”, tha ai.
Deklaratat e tij erdhën pasi mediat lokale raportuan se prokurorët gjermanë kanë identifikuar një instruktor ukrainas zhytjeje si të dyshuarin kryesor në sulmin sabotues ndaj Nord Stream, por përpjekjet për ta kapur atë kanë qenë të pasuksesshme pasi autoritetet polake kanë hezituar të bashkëpunojnë me homologët e tyre gjermanë.
Autoritetet gjermane në qershor lëshuan një urdhër arresti evropian kundër Wolodymyr Z., një instruktor zhytjeje, pasi zbuluan se i dyshuari banonte në një qytet në Poloni, por ai nuk mundi të arrestohej dhe u largua nga vendi, me sa duket pasi paraprakisht u informua për hetimin ndaj tij.
Sipas prokurorëve gjermanë, jahti “Andromeda” i përdorur në operacion ishte marrë me qira nga një kompani me bazë në Poloni, e cila me sa duket ishte në pronësi të dy ukrainasve.
Grupi që kreu sulmin sabotues besohet se përbëhej nga dy zhytës, dy ndihmës, një kapiten dhe një mjek.
Sabotimi i tubacioneve Nord Stream në vitin 2022 ishte një sulm i paprecedentë dhe shkaktoi dëme të mëdha në tubacionet që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik./aa