Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të premten Nedelko Spasojeviq me katër vjet e gjashtë muaj burgim për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen e Oliver Ivanoviqit gjashtë vjet më parë.

Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan me nga katër vjet burgim, Marko Roshiq me dhjetë vjet burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.

Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

 

Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 4.500 euro për armëmbajtje pa leje.

Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.

Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Zharko Jovanoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro.

Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal.

Të dënuarve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.

Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.

Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë – nën mbrojtjen e anonimitetit – kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt.

Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës.

Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.

Në aktakuzë, Radoiçiç dhe Vesellinoviç përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Përndryshe, Radoiçiq, pak muaj para vrasjes së Ivanoviqit, është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë.

Ai ka dhënë dorëheqje nga partia në shtator të vitit 2023, kur ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit u bë pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.

Në vitin 2020, Prokuroria Speciale e ngriti aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para ishte ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti ishte ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.

Megjithatë, në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përkatësisht janë përmendur vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo edhe autori apo organizatori i vrasjes.

Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Prokuroria Speciale ngriti edhe një aktakuzë kundër një personi me inicialet M.M., për shkak të dyshimit se ai ka qenë edhe anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për shkak të “pengimit të procesit gjyqësor”, “kanosjes” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Disa media në Kosovë e kanë identifikuar atë si Millan Mihajlloviq nga Leposaviqi, me pseudonimin “Pop”, i cili, pas disa muajsh në paraburgim, ka dalë nga burgu për t’u mbrojtur në liri.

Vëllai i Oliverit, Mirosllav Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së tij, se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes do të mund të gjejnë qetësi vetëm kur të gjenden vrasësi dhe organizatori dhe të ndëshkohen./REL