Zv.sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi i tij ka imponuar një "ekuacion të ri" ndaj Izraelit, duke theksuar se armëpushimi në Gaza është çelësi për t'i dhënë fund konfliktit aktual.

"Ne i imponojmë Izraelit një ekuacion të ri të 'dëmtimit të armikut' teksa raketat arritën në Haifa, Tel Aviv ditët e fundit", tha Qassem në një fjalim televiziv.

"Ne kemi të drejtë të shënjestrojmë çdo pikë në Izrael pas shkeljeve të Izraelit në Liban", tha ai, duke shtuar: "Sulmet me raketa do të vazhdojnë".

Zv.kreu i Hezbollahut tha se arritja e një armëpushimi në Gaza është çelësi për t'i dhënë fund konfliktit aktual në rajon.

"Zgjidhja është një armëpushim i bazuar në një marrëveshje indirekte, pas së cilës kolonët mund të kthehen në veri (të Izraelit)" tha ai, duke theksuar: "Ne nuk po flasim nga një pozicion dobësie".

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 42.400 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.

Konflikti është përhapur në Liban, ku Izraeli ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, të cilat kanë vrarë më shumë se 1.500 njerëz dhe plagosur mbi 4.500 të tjerë që nga 23 shtatori.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme ishte në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur sulm tokësor më 1 tetor në Libanin jugor./aa