Sylvinho, trajneri i Kombëtares ka kontratë me FSHF-në deri në fundin e korrikut 2024 dhe pas këtij muaji është i lirë të firmos me klubet që dëshiron. Tanimë Federata Shqiptare e Futbollit i ka vendosur trajnerit kontratën e re mbi tavolinë.
Prej janarit të këtij viti, oragni i futbollit në Shqipëri ka dashur të "blindojë" trajnerin, teksa ende nuk ka një përgjigje. Pas eliminimit nga Euro 2024, Kombëtarja së bashku me trajnerin mbërritën në Tiranë dhe pas saj Sylvinho ka marrë një javë pushime.
Tanimë mësohet se janë disa klube evropiane që duan të ulin në stol Sylvinhon dhe një prej tyre është nga liga portugeze. Kështu, siç bëri me dije edhe Armand Duka, nëse një ofertë e lartë ekonomike vjen për trajnerin, atëherë FSHF nuk do mundet ta mbajë dot Sylvinhon.
Pas eliminimit nga Euro 2024, duket se tema e rinovimit të trajnerit është bërë çështje te Kombëtarja. Megjithatë, pas një javë shumë pikëpyetje do marrin përgjigje në lidhje me të ardhmen e Sylvinhos.
I ulur në stolin kuqezi në fillimin e 2023, shanset që braziliani ta drejtojë Kombëtaren edhe në fushatën kualifikuese për Botërorin 2026 janë 50-të me 50-të./Shqiptarja