Maratona e Tiranës, aktiviteti më i madh sportiv në kryeqytet, rikthehet më 20 tetor për të pritur garues nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë televizive sot bëri thirrje për pjesëmarrje masive në këtë aktivitet sportiv.

Ai theksoi se Tirana tashmë është e mbushur me aktivitete të shumta, të cilat gjenerojnë dhe ekonomi për qytetin.

“Për pak ditë do të mbushet me njerëz për Maratonën e Tiranës, e cila do të jetë më 20 tetor. I sjell shumë biznes edhe Tiranës. Ki parasysh që vijnë 10 mijë veta për maratonën, zakonisht vijnë me familjarët e tyre, pra vijnë me bashkëshortët, vijnë edhe fëmijët. Për qytetin është një punë shumë e madhe 20-30 mijë veta që vijnë e rrinë në hotel e konsumojnë. Ajo që kemi arritur të bëjmë është që të prodhojmë aktivitete për qytetin që prodhojnë ekonomi. Kur njerëzit dëgjojnë “Kryeqyteti i Rinisë”, “Kryeqyteti i Sportit”, vitin tjetër jemi “Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, në thelb është një truk për sjellë sa më shumë aktivitete, për të sjellë sa më shumë financa për qytetin”, tha Veliaj.

Maratona do të zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon”, “Half Marathon”, “Tirana 10K” dhe “We Too”. Për secilën kategori janë parashikuar çmime të ndryshme për fituesit, duke e kthyer këtë garë në një motivim të madh për sportistët.

Përtej aspektit garues, Maratona e Tiranës do të jetë një festë e madhe për qytetin, me aktivitete të shumta artistike dhe kulturore përgjatë gjithë ditës./ata