Qeveria e Bolivisë njoftoi të enjten se 17 persona, përfshirë ushtarakë në shërbim dhe në pension dhe civilë, janë arrestuar në lidhje me tentativën për grusht shteti të së mërkurës kundër presidentit Luis Arce.
"Gjithsej 17 persona janë arrestuar për tentativë për të kryer grusht shteti brenda territorit kombëtar", tha ministri i Brendshëm, Eduardo del Castillo në një konferencë për media.
Gjenerali bolivian Juan Jose Zuniga Macias ishte në mesin e të arrestuarve dhe të akuzuarve për komplotim të një grushti shteti kundër qeverisë pasi u përpoq të futej me forcë në Pallatin Presidencial në La Paz me një tank të mërkurën.
Del Castillo konfirmoi se Zuniga dhe ish-shefi i marinës Juan Arnez Salvador udhëhoqën grupin e komplotistëve që donin "të rrëzonin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike" dhe tha se ata përballen me akuza që mund të rezultojnë në dënime nga 15 deri në 30 vjet burg.
Sipas ministrit, një ditë para kryengritjes ushtarake, Arce e ka informuar shefin e ushtrisë se po lirohej nga detyra sepse sjellja e tij "nuk ishte në përputhje me kushtetutën politike" pas disa sulmeve nga Zuniga ndaj ish-presidentit të krahut të majtë Evo Morales.
Zuniga është mbrojtur duke akuzuar Arcen për orkestrimin e një grushti shteti kundër vetes për të rritur popullaritetin e tij. "Presidenti më tha se kishte nevojë për diçka për të rritur popullaritetin e tij", pohoi Zuniga të mërkurën.
Bolivia është aktualisht në një krizë politike që përfshin partinë në pushtet, Movimiento al Socialismo dhe ish-presidentin Morales. Kriza është shkaktuar nga një rivalitet midis Morales dhe Arce, të cilët planifikojnë të kandidojnë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
Morales ka udhëhequr vendin nga viti 2006 deri në vitin 2019, kur u rrëzua nga ushtria pas protestave të gjera dhe u zëvendësua nga një qeveri e përkohshme konservatore. Arce më pas fitoi zgjedhjet e vitit 2020 me ndihmën e ish-aleatit të tij Morales përpara se të fillonin fërkimet mes tyre.
Përpjekja për grusht shteti është dënuar nga shumica e vendeve në Amerikën Latine, përfshirë Ekuadorin, Uruguajin, Paraguajin, Brazilin, Kilin, Kolumbinë dhe Meksikën./aa