Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaroi se nuk do të mbështesë emrat e propozuar në postet kryesore të Bashkimit Evropian në Samitin e Liderëve të BE-së për shkak të respektit të rezultateve në zgjedhjet e Parlamentit Evropian (PE).
Meloni, qëndrimi i së cilës ishte më kurioz në Samitin e Liderëve ku u caktuan postet e larta të BE-së pas zgjedhjeve të PE-së të mbajtura më 6-9 qershor në vendet anëtare të BE-së, publikoi qëndrimin e saj në llogarinë e saj në X pas seancës së mbajtur natën vonë.
Në seancën në fjalë ish-kryeministri portugez, Antonio Costa u zgjodh president i Këshillit të BE-së dhe u sugjerua që presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen të vazhdojë detyrën në mandatin e ri ndërsa kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas të emërohet përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
"Propozimi i formuluar nga Partia Popullore (Europiane), Socialistët dhe Liberalët ndaj emrave të rinj në krye të Evropës është i gabuar për nga metoda dhe përmbajtja. Për respekt të qytetarëve dhe udhëzimet që vijnë nga këta qytetarë në zgjedhje unë kam vendosur të mos e mbështes këtë propozim. Ne vazhdojmë të punojmë për t'i dhënë më në fund Italisë peshën që meriton në Evropë", tha Meloni.
Në fjalimin e saj në parlamentin italian më 26 qershor, para se të vinte në Samitin e Liderëve të BE-së në Bruksel, Meloni kritikoi ashpër mënyrën e zgjedhjes së emrave që do të qeverisin BE-në për 5 vjet dhe liderët e tjerë të BE-së për emrat që sugjeruan.
Pas kritikave të Melonit në parlament, në media u raportua se presidenti italian, Sergio Mattarella tha se "BE-ja nuk duhet të injorojë Italinë, e cila është një shtet partner themelues".
Partitë opozitare kritikuan se "Meloni dhe koalicioni i djathtë që ajo drejton e izoluan Italinë nga Evropa"./aa