Rusia ka paralajmëruar se rreziku i incidenteve mbi Detin e Zi së fundmi është rritur për shkak të aktiviteteve të dronëve të NATO-s në rajon.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në një deklaratë me shkrim tha se fluturimet më të shpeshta nga dronët e NATO-s tregojnë se Perëndimi po përfshihet më shumë në konfliktin në Ukrainë.
“Fluturime të tilla shumëfishojnë mundësinë e incidenteve në hapësirën ajrore me avionët e Forcave Ajrore Ruse, gjë që rrit rrezikun e konfrontimit të drejtpërdrejtë midis aleancës dhe Federatës Ruse”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
Ministria theksoi se nëse ndodhin incidente të tilla, përgjegjësia do të jetë e vendeve të NATO-s.
Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, më shumë se 28 muaj më parë.
Kohët e fundit, Rusia ka shtuar paralajmërimet kundër aleatëve perëndimorë të Ukrainës me përfshirjen në konflikt më shumë sesa Moska e sheh të arsyeshme./aa