Firma globale e teknologjisë me bazë në SHBA, Apple, ka rënë nga lista e pesë shitësve të parë të smartfonëve në Kinë në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas një raporti nga Canalys.

Kompania amerikane e teknologjisë është renditur e gjashta në listë me një pjesë tregu prej 14 për qind në periudhën prill-qershor të këtij viti, nga 16 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha Canalys, firmë analitike e tregut global të teknologjisë me bazë në Singapor.

Tregu i smartfonëve të Kinës kontinentale shënoi një rritje prej 10 për qind në bazë vjetore në tremujorin e dytë, me dërgesa që tejkaluan 70 milionë njësi, thuhet në raportin e publikuar të enjten.

"Është tremujori i parë në histori që shitësit vendas dominojnë të gjitha pesë pozicionet e para", ka thënë në raport analisti i kërkimeve në Canalys, Lucas Zhong. "Strategjitë e shitësve kinezë për produktet e nivelit të lartë dhe bashkëpunimi i tyre i thellë me zinxhirët e furnizimit lokal kanë filluar japin fryte në veçoritë e harduerit dhe softuerit", ka shtuar ai.

Kompania shumëkombëshe kineze e teknologjisë "vivo" ka rimarrë vendin e parë duke dërguar 13,1 milionë njësi, duke regjistruar një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe duke kapur një pjesë të tregut prej 19 për qind.

OPPO ka ruajtur vendin e dytë, duke dërguar 11,3 milionë njësi dhe HONOR është renditur i treti me dërgesa prej 10,7 milionë njësish dhe duke shënuar një rritje prej 4 për qind nga viti në vit.

Huawei ka zënë vendin e katërt me dërgesa prej 10,6 milionë njësish, ndërsa Xiaomi ka shënuar rritje vjetore prej 17 për qind dhe është rifutur në listën e pesë të parëve duke dërguar 10 milionë njësi në tremujorin e dytë.

"Tregu kinez më në fund po përafrohet me shpejtësitë globale të rimëkëmbjes", ka thënë menaxherja e kërkimeve në Canalys Amber Liu. "Në bashkëpunim me platformat e tregtisë elektronike (e-commerce), shitësit e smartfonëve iniciuan ciklin promovues me zbritje dhe promovime të konsiderueshme, i cili filloi shumë më herët këtë vit", ka theksuar ajo.

Analisti i lartë në Canalys, Toby Zhu, ka thënë se tri tendenca kryesore do të ndikojnë në pasqyrën e tregut kinez të smartfonëve në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Huawei së shpejti do të lançojë HarmonyOS Next, pasi kompania synon ta pozicionojë atë si një sistem operativ të tretë kryesor të telefonave celularë krahas Android dhe iOS.

"Për më tepër, aktorët vendas po investojnë në infrastrukturën e AI-së, duke zhvilluar modele të brendshme dhe duke krijuar aplikacione të AI-së si avantazhe kryesore konkurruese për të prishur segmentin e çmimeve të larta", ka thënë Zhu, duke shtuar: "Së fundi, konkurrenca intensive vendase po nxit gjithashtu zgjerimin jashtë shtetit, me markat kineze që pritet të arrijnë arritje të reja në tregjet ndërkombëtare gjatë pjesës tjetër të vitit 2024"./aa