Mesfushori kuqezi, Keidi Bare ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, gjatë gjithë periudhës së qëndrimit te Espanyol. Bare, shkruan në rrjetet sociale, se largohet nga kjo skuadër me kujtime të mira.
“Lamtumirat janë zakonisht të hidhura, por unë do të përpiqem të mbaj gjërat e mira. Siç e dini tashmë shumë prej jush, për fat të keq nuk do të vazhdoj me Espanjolin, sepse kjo është ajo që ata kanë vendosur. Kanë qenë katër vite shumë intensive. Shumë momente të bukura, për shembull ky sezoni i fundit ku arritëm të ngjiteshim në La Liga, por edhe të tjera të komplikuara, si ato të përjetuara këtë sezon.
Largohem me kokën lart që e kam lënë skuadrën aty ku e meriton, në elitën spanjolle, por mbi të gjitha sepse kam dhënë gjithçka në çdo minutë që e kam mbrojtur këtë fanellë në fushë. Është mënyra ime për të kuptuar futbollin dhe shpresoj që ju tifozë të Espanyol të më mbani mend kështu, si një luftëtar që ka thyer gjoksin për mburojën e Espanyol.
Dua të falënderoj trajnerët dhe stafin teknik, shokët e skuadrës, punëtorët e klubit… Por mbi të gjitha, ju falënderoj tifozët që më bëni të ndihem kaq i dashur dhe të ndjej mbështetjen tuaj të pakushtëzuar në çdo moment. Këtu keni një tifoz më shumë. Faleminderit “Pericos” për katër vite të paharruara”,- shkruan Bare./BalkanWeb