Karateisti shqiptar Orges Arifi, fitues i medaljes së Argjendtë në “Kampionatin Europian të Karatesë”, mbajtur në Zadar të Kroacisë është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Gjatë takimit, Ylli ka vlerësuar arritjet e sportistit dhe e ka inkurajuar atë për të synuar të tjera objektiva të rëndësishme.
Në takimin e mbajtur në zyrat e KOKSH, ku të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima, presidenti i Federatës së Karatesë, Petrit Baba, si edhe babai i Orges Arifit, u diskutua gjatë edhe për përpjekjet e KOKSH për të mbështetur të gjitha federatat dhe sportistët, për të afruar sa më shumë njerëz pranë sportit dhe padyshim për të synuar edhe rezultate të larta në arenën ndërkombëtare./ata