Pasi kaloi me sukses derbin e madh të kryeqytetit (sepse edhe barazimi konsiderohet i tillë, meqë mbeti 2 pikë para Partizanit), Orges Shehi sheh përpara. Bardheblutë kampionë, favoritët kryesorë për ta mbrojtur kurorën e titullit, do të luajnë edhe tri ndeshje me këtë synim në kokë.

Duke nisur nga transferta e ditës së nesërme me Laçin, një sprove delikate. Pastaj do të ketë punë edhe me Bylisin në shtëpi dhe Erzenin në transfertë. E gjitha kjo do të konsumohet në dhjetë ditë, kur do të zbardhen edhe veriktet e Superiores. Duke folur para gazetarëve, trajneri i Tiranës u shpreh:

Si e prisni transfertën me Laçin?

Është përballja e radhës, mjaft e vështirë. Kanë mbetur edhe 3 ndeshje dhe do të jetë një kalendar i ngjeshur. Laçi është e para nga këto, një skuadër gjithmonë konkurruese, që ka një trajner me shumë eksperiencë.

Ish-lojtarët e Laçit në radhët tuaja, a e bëjnë Tiranën favorite?

Një nga ato lojtarë, Lushkja, fatkeqësisht deri në fund të sezonit nuk do të jetë i gatshëm, pasi u dëmtua në ndeshjen me Partizanin. Lojtarët shqiptarë kanë disa vite këtu edhe lëvizin nga një skuadër në tjetrën. Nuk mendoj që ka sfida pa ish-ë brenda. Secili përqendrohet te skuadra ku është, për të bërë më të mirën, duke mos menduar për të shkuarën apo të ardhmen.

Veç Lushkjes, si është organika juaj?

Mungon Lushkja dhe Gumsi për arsye kartonash. Rikthehet Hila dhe Hasani. Përveç mungesave që dihen, që nuk do të jenë më këtë sezon, kjo është organika e skuadrës.

Pas derbit, cili ishte fjalimi që mbajte para lojtarëve?

Nuk hyra në dhomat e zhveshjes me skuadrën, por kam qenë me stafin. Nuk kishte fjalim, ishte një ndeshje që doli barazim. Kur janë ndeshjet afër, kthehemi menjëherë në stërvitje, pasi është ndeshja tjetër. Fokusi është te ndeshja e nesërme dhe nuk kemi kohë të mendojmë për të kaluarën.

Ju pret një kalendar i ngjeshur…

Është i vështirë për të gjithë. Çdo skuadër ka objektivat e veta. Pra, të gjithë janë në lojë, nuk besoj se ka të favorizuar nga kalendari. Ne do të fokusohemi vetëm te ndeshja e radhës.

A ndihet presioni në dhomat e zhveshjes?

Nuk mendoj që duhet të biem pre e presionit, nuk ka pse ndikon. Tek unë jo e jo, sepse eksperienca bën të vetën. Në karrierë kam patur shumë momente që më ndihmojnë për të patur një mesatare të duhur të dozës emocionale. Kur nuk vihem unë në presion, edhe skuadra nuk ka pse të futet në presion. Kemi ardhur deri këtu me meritë të plotë, me sakrifica të mëdha dhe për këto 10 ditë marrim frytet e gjithë sezonit. Na duhet përqendrim, edhe pushim, sepse ndeshjet janë afër, ndaj lodhja bën të vetën. Kontigjentin nuk e kemi shumë të madh për të bërë rotacione. Kur vjen lodhja, humbet edhe përqendrimi. Duhet të futemi në fushë me përqendrim maksimal për të marrë maksimumin.