Kryeministri Edi Rama i cili dorëzoi sot titujt e pronësisë së shtëpive në Theth dhe në disa zona të tjera të Veriut, ku janë zgjidhur më në fund problematikat e trashëguara, vlerësoi sot punën që ka bërë kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Rama theksoi se “arsyeja që pse sot ky është një proces i realizuar dhe zotim i mbajtur në një kohë kaq të shkurtër është sepse puna parapërgatitore ishte bërë, sepse Baskia Shkodër është diçka tjetër sot dhe kryetari i bashkisë ka ardhur këtu në Theth më shumë se kryetarët e bashkive në Shkodër në gjithë historinë e tyre”.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “sot Thethi nuk është thjeshtë një fshat. Sot Thethi është destinacion evropian turistik”.

Duke iu drejtuar banorëve të zonës, Rama tha se” ju duhet ta ndjeni dhe ta kuptoni se keni mision  përtej shtëpisë tuaj sepse sa më shumë të jenit vetëdijshëm për këtë aq më tepër do jeni roje të të gjithë punëve që bëhen këtu qoftë nga puna që bëjmë ne dhe bashkia apo mos lejimit të çdo njërit prej jush për të bërë gjëra jashtë asaj mënyrës se si duhet ndërtuar këtu”.

“Projekti që bëmë me FSHZH për riparimin e çative dhe për kthimin  e shumë çative në identitet ju ka sjellë shumë më tepër fuqi për të ardhurat nga turistët. Këtu syri ngado rrotullohet duhet vetëm të shijojë dhe të mrekullohet, jo të vritet”, theksoi Rama./ata