Në Bruksel u mbajt dje takimi i 17-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, në të cilin mori pjesë Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë, i përbërë nga deputetët Toni Gogu, kryetar i delegacionit, Jorida Tabaku, Pandeli Majko, Arben Pëllumbi, Enslemvera Zake, Etjen Xhafaj, Niko Kuri, Lavdrim Krashi, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Zheni Gjergji, Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri.
Në mbledhje mori pjesë edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Përfaqësuesit e lartë të institucioneve më të rëndësishme evropiane vlerësuan progresin e vendit në zbatimin e reformave për integrimin evropian, veçanërisht arritjet në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi.
Theksi u vendos në rezultatet e arritura nga institucionet e pavarura të drejtësisë dhe u inkurajua vazhdimi dhe konsolidimi i rezultateve të reformës.
Po kështu, u theksua se procesi screening ka përfunduar me sukses, edhe si rezultat i profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të gjitha institucioneve kryesore të vendit, përfshirë edhe kontributin në rritje të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë takimit u diskutua rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga Komisioni Evropian, si mjeti më efikas me të cilin rajoni do të fillojë të përfitojë gradualisht akses më të zgjeruar në tregun e vetëm të BE-së, si dhe do të zvogëlojë hendekun zhvillimor ekonomik me BE-në.
U nënvizua se dialogu midis faktorëve politik brenda vendit është një element i rëndësishëm në rrugën e negociatave për integrimin evropian.
Dialogu dhe bashkëpunimi me Parlamentin Evropian dhe institucionet e BE-së, është intensifikuar dhe ndihmon në avancimin e negociatave.
Në përfundim të takimit u miratua Deklarata e Rekomandimeve të Përbashkëta të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri./ata