Gazetarja e njohur Iva Tiço iu bashkua nismës “Dhuro zërin” për pasurimin e bibliotekës audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu në një postim në rrjetet sociale.
“Romani ‘Muzeu i Pafajësisë’ i nobelistit Orhan Pamuk, tani është pjesë e bibliotekës audiodixhitale për fëmijët që nuk shikojnë me zërin e gazetares Iva Tiço”, u shpreh Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Manastirliu i bën apel të gjithëve të dhurojnë zërin e tyre, duke u shprehur se nëse dhuron zërin vetëm 1 herë, ai mund të dëgjohet mijëra herë.
Kësaj nisme i janë bashkuar emra të njohur të artit dhe kulturës, që me zërin e tyre kanë pasuruar bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.
Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë pritet të kthehet në qendër burimore. Nxënësit punojnë me programin e shkollave 9-vjeçare të zakonshme duke shtuar lëndët speciale, si mësimi i shkrimit Brail etj.
Instituti garanton cilësi në mësimdhënie nga një staf i kualifikuar profesionalisht dhe i aftë për të mësuar nxënës të verbër dhe me shikim të pjesshëm, me një bazë didaktike të përshtatshme për ta./ata