Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi ndaj takimit të Kryeministrit Rama me drejtues të shërbimeve në QSUNT, ndërsa e cilësoi ngjarjen tek Onkologjiku si skandal çnjerëzor.

Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu njoftuan ndryshime ligjore që rregullojnë sektorin pas ngjarjes me mjekët e Onkologjikut, ndërsa inkurajuan hetimin e plotë të saj.

“Me parrulla të lodhura dhe kundërthënëse, ku sipas interesit të tij një herë e ka fajin individi, një herë sistemi, ndërsa koka, maja e kësaj piramide korruptive, flet sikur ka ardhur sot në pushtet. Siç ka berë me zv. kryeministrin në arrati për korrupsion, me ministra, ish-ministra, kryebashkiake e ish-kryebashkiakë, edhe këtu u shfajësua me frazën “përgjegjësia është individuale”, theksoi Basha, me anë të një postimi në Facebook.

Basha u shpreh se, ishte Rama që premtoi shëndetësi falas dhe sot shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shërbimeve për shëndetësinë.

“Me qeverisjen e Edi Ramës, Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82 për qind. Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi në krahasim me çdo vend tjetër në Evropë”, shkroi më tej Basha.

Sipas tij, “problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente.

Prandaj, theksoi Basha, “së pari gjithçka duhet të nisë me luftë pa kompromis kundër korrupsionit”.

Basha inkurajoi SPAK të ecë përpara me vendosmëri në luftën e korrupsionit, kudo që ai shpërfaqet dhe në çdo nivel të pushtetit.

“Së dyti, ne kemi ofruar alternativën tonë. Modelin që qytetarët të cilët paguajnë sigurimet shëndetësore të mos u shkojnë dëm paratë, por të marrin shërbim në çdo spital që ofrohet shërbimi i nevojshëm. Shqipëria meriton më shumë se gjendja në të cilën e ka futur korrupsioni i Edi Ramës, familjet shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për ta, e jo një qeveri që i trajton jetët e tyre si plaçkë për të mbushur xhepat e saj”, u shpreh Basha./ata