Kuvendi i Shqipërisë organizoi ditën e sotme në “Pallatin e Kongreseve”, takimin e Komisionit të Dimensionit Parlamentar të Nismës për Evropën Qëndrore, me temë: “Roli i parlamenteve në mbikëqyrjen e qeverive dhe procesit të integrimit europian”.

Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të marrjes nga Shqipëria të Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Nismës për Evropën Qendrore (CEI).

Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, kryetari i delegacionit shqiptar dhe president i Dimensionit Parlamentar të CEI, Etjen Xhafaj, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e CEI, Zsuzsanna Kiraly dhe përfaqësues nga vendet e rajonit.

Aktiviteti u moderua nga kryetari i delegacionit shqiptar dhe Presidenti në detyrë i Dimensionit Parlamentar të CEI, Etjen Xhafaj, i cili e nisi fjalën e tij duke folur për rëndësinë e avancimit të Presidencës Shqiptare.

Xhafaj u shpreh se, aktualisht nisma është në momentin që fjalët duhet të përkthehen në produkte për të rritur rolin e parlamenteve në proceset e integrimit dhe ato të monitorimit të institucioneve.

Xhafaj u bëri thirrje vendeve anëtare të BE brenda Nismës që të mbështesin përparimin e vendeve kandidate në procesin e integrimit.

Në nisje të takimit, zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj u shpreh se, marrja nga Shqipëria e Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Nismës për Evropën Qëndrore, në vitin e 35-të të jetës së kësaj organizate, është një përgjegjësi dhe detyrim, por edhe një oportunitet që Shqipëria dhe Kuvendi të rikonfirmojnë vizionin, kontributin dhe përkushtimin për bashkëpunimin rajonal, paqen, sigurinë dhe rrugëtimin evropian të vendit tonë dhe të vendeve të tjera që aspirojnë t’i bashkohen familjes evropiane.

“E gjej shumë me vend fokusimin e temës së këtij takimi në rritjen e rolit të parlamenteve në mbikëqyrjen e qeverive dhe të procesit të integrimit evropian. Integrimi evropian ka qenë dhe mbetet prioriteti numër një i Kuvendit të Shqipërisë. Lidershipi i Kuvendit në këtë proces po realizohet nëpërmjet garantimit të legjitimitetit demokratik dhe tiparit gjithëpërfshirës të procesit të integrimit evropian”, u shpreh Felaj.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, u shpreh se të qënit të bashkuar është një favor për të gjithë dhe se integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet.

Kodheli nënvizoi më tej se, nuk do të ndalen me reformat për një Shqipëri më të mirë.

“E ardhmja do të jetë shumë më e afërt dhe më e përbashkët. Besoj që përtej gjithë angazhimit tonë në politikën e jashtme, Shqipëria mbështet kauzat e drejta dhe qëndron drejt historisë. Shqipëria drejton sot një organizatë të ngritur vite më parë me shpresën se të qënit bashkë është një favor për të gjithe ne. Zgjerimi mbetet një proces që na jep mundesinë për të bërë gjëra më të mira se sa kemi bërë. Ky proces, integrimi evropian nuk mund të anashkalohet por të jetë target i vendeve që aspirojnë një rrugëtim drejt një demokracie më të madhe. Shqipëria ka nevojë të rregullojë rregullat e tregut dhe të pastrohet nga e kaluara. CEI duhet të marrë një frymë të re, një koncept modern, përtej çdo problemi që kemi me kufijtë imagjinarë. Ka kufi midis ujit dhe tokës, por jo midis nesh. Nuk do ndalemi me reformat dhe në këtë proces do jemi të gjithë bashkë”, u shpreh Kodheli.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e CEI, Zsuzsanna Kiraly, gjatë fjalës së saj falenderoi Kuvendin e Shqipërisë për mikpritjen e këtij takimi duke nënvizuar se CEI do të kontribuuojë në procesin e integrimin evropian.

“Faleminderit Parlamentit të Shqipërisë për mikpritjen e takimit. Takimi është një mundësi për të vënë në dukje rolin që kemi në organizatën tonë dhe që kemi kontribut të lartë në procesin e integrimit evropian. Pjesëmarrja juaj konfirmon angazhimet tuaja dhe përpjekjet për rritjen dhe rolin e CEI-t. Në sajë të një bashkëpunimi më të mirë midis qeverive e parlamenteve kemi ndërmarrë iniciativa për të reflektuar se cili do jetë roli i CEI-t. Takimi ofron mundësinë për debat të hapur dhe përfitojnë të gjitha shtetet. Jemi të angazhuar për të kontribuuar dhe për të mështetur të gjithë iniciativat”, u shpreh Kiraly.

Më tej aktiviteti vijoi me diskutime mes përfaqësuesve të vendeve të ndryshme në lidhje me rolin e parlamenteve në mbikëqyrjen e qeverive dhe procesit të integrimit evropian.

Aktiviteti u mbyll me miratimin me konsensus të deklaratës së përbashkët të takimit./ata