Futbolli shqiptar i dha lamtumirën sot, legjendës Bejkush Birçe. Dikur futbollist, më pas trajneri i ekipit kombëtar e zëvendëspresident i FSHF, Birçe u nda nga jeta ditën e djeshme, në moshën 87-vjeçare, ndërkohë që sot janë kryer homazhet nga qindra sportdashës, figura të futbollit shqiptar, ish kolegë dhe personalitete të ndryshme.

Në homazhet e organizuara sot nën kujdesin e FSHF-së në stadiumin “Air Albania” morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, zv. presidentët e FSHF, Arben Dervishaj e Lutfi Nuri, anëtarët e KE-së së FSHF, Anila Basha e Abdyl Kuriu si edhe zyrtarë të tjerë të FSHF.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku tha se futbolli shqiptar humbi një ikonë dhe një bashkëpunëtor që të gjithë jetën e tij ia kushtoi futbollit.

Bejkush Birçe konsiderohej një model i figurave sportive në vendin tonë. Birçe e kaloi karrierën e tij si futbollist te Partizani, ndërkohë që e drejtoi më pas edhe si trajner, sikurse bëri me Naftëtarin, Flamurtarin, Lokomotivën e Durrësit dhe Dinamon.

Gjithashtu, ai mbahet mend si një nga trajnerët më të shquar të Kombëtares, teksa drejtoi kuqezinjtë në vitet ’90, në një periudhë të vështirë për vendin./ata