Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar një hetim për lirimin e drejtorit të spitalit Al-Shifa në qytetin Gaza.
Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, Netanyahu e përshkroi lirimin e Dr. Mohammad Abu Salmiya si "një gabim i rëndë dhe një dështim etik".
Netanyahu tha se Abu Salmiya "përket në burg", duke e akuzuar atë si përgjegjës për "mbajtjen dhe vrasjen" e robërve izraelitë në Gaza.
Abu Salmiya u arrestua më 23 nëntor së bashku me disa persona të tjerë nga stafi mjekësor derisa udhëtonte nga qyteti i Gazës në jug të enklavës pas një bastisjeje izraelite në spital.
Të hënën, Izraeli liroi Abu Salmiya-n dhe rreth 54 palestinezë, përfshirë mjekë që u ndaluan nga spitali Al-Shifa dhe objekte të tjera mjekësore gjatë operacioneve ushtarake gjatë muajve të fundit.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Të paktën 37.900 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 87 mijë të tjerë janë plagosur. Mbi tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa