Të paktën 9 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite vazhdoi sulmet në Rripin e Gazës për të 270-ën ditë. Në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në qytetet Khan Younis dhe Rafah në jug të Rripit të Gazës, 8 palestinezë humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën.
Shumë palestinezë u plagosën në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në rajonet Al-Fehari dhe Kizan Rashvan dhe në lagjen Al-Manara në Khan Younis.
Një fëmijë humbi jetën si pasojë e bombardimeve të avionëve luftarakë izraelitë në një shtëpi në kampin e refugjatëve Nusairat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Shumë palestinezë u plagosën si pasojë e sulmit në shtëpinë e familjes palestineze "Ebu Celale" në veri të kampit të refugjatëve Nusairat.
Zjarri që shpërtheu në një ndërtesë pasi ushtria izraelite e goditi atë në rrugën Al-Jala në qytetin e Gazës, që ndodhet në veri të Rripit të Gazës, u shua nga banorët aty. Njësitë e artilerisë së ushtrisë izraelite vazhduan të sulmojnë lagjet Shujaiyye dhe Zitoun në lindje të qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite, përveç sulmeve ajrore në lagjen Shujaiyye ka rrethuar disa shtëpi që u përkisnin palestinezëve. Në deklaratën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze thuhet se shumë të plagosur u sollën në spitalin "Amal" pasi ushtria izraelite bëri thirrje për evakuimin e rajoneve lindore në Khan Younis.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në deklaratën e tij në platformën X u kërkoi palestinezëve që të evakuojnë menjëherë zonat në lindje të qytetit Khan Younis "për sigurinë e tyre". Qindra palestinezë, të cilët ishin zhvendosur shumë herë më parë, u nisën për t'u zhvendosur sërish./aa