Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se do të ketë arrestime pas sulmit përpara ambasadës izraelite në kryeqytetin Beograd.

Një person në Beograd u qëllua për vdekje pasi sulmoi një pjesëtar policie me hark dhe shigjetë përpara ambasadës izraelite të shtunën.

Vuçiq e quajti incidentin sulm terrorist plotësisht të paramenduar.

Polici, i identifikuar si Millosh Jevremoviq, përdori armën e tij në vetëmbrojtje ndaj sulmuesit, i cili vdiq për shkak të plagëve të marra. Jevremoviq punon si roje e përhershme e sigurisë në ambasadë.

Vuçiq tha se sulmi nuk erdhi si befasi, duke pretenduar se rezoluta e fundit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e miratuar muajin e kaluar, e cila caktoi 11 korrikun si ditë përkujtimore të gjenocidit të Srebrenicës, krijoi një objektiv në Serbi.

Rezoluta, të cilën Vuçiq e kishte kundërshtuar më parë si “shumë të politizuar”, dënonte gjithashtu mohimin e gjenocidit të vitit 1995 në qytetin e Srebrenicës, ku muslimanët boshnjakë u vranë pavarësisht pranisë së trupave paqeruajtëse holandeze, ndërsa forcat serbe u përpoqën të pushtonin territorin.

 

- “Shërbimet e huaja”

Presidenti serb tha gjithashtu se autoritetet do të zgjidhin shumicën e aspekteve të çështjes deri të martën.

Vuçiq pohoi gjithashtu se disa “shërbime të huaja” janë përpjekur të zgjerojnë ndikimin e tyre në Serbi.

“Ne po punojmë për këtë. Ashtu siç luftoni kundër ekstremizmit ortodoks, po ashtu luftoni kundër ekstremizmit islamik dhe të gjithë të tjerëve”, tha Vuçiq.

Punonjësi i policisë është transportuar në një qendër të urgjencës në gjendje të vetëdijshme, ku i është nënshtruar një operacioni për heqjen e një shigjete nga qafa.

Ministria e identifikoi sulmuesin si 25-vjeçarin Millosh Zujoviq, i cili ishte zhvendosur për të jetuar në qytetin e Novi Pazarit.

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq tha se një sinagogë në Beograd mund të ketë qenë objektivi fillestar i sulmit.

Ai tha se ripërcaktimi i lëvizjeve të Zujoviqit sugjeron që ai së pari shkoi në sinagogë të shtunën, por vazhdoi në ambasadë për shkak të pranisë së konsiderueshme të policisë rreth sinagogës.

“Ky akt terrorizmi u ndërpre në fillim... Kjo është arsyeja pse unë them se policia jonë, me aktin heroik të anëtarit tonë Millosh Jevremoviq, parandaloi rrjedhën e mëtejshme të këtij akti terrorizmi në fillim”, u tha Daçiq gazetarëve pasi vizitoi të plagosurin Jevremoviq në spital.

Daçiq tha të shtunën se policia kishte arrestuar një person tjetër pranë objekteve të policisë si masë paraprake.

Policia arrestoi të dielën një person tjetër të identifikuar si Igor Despotoviq nën dyshimin se kishte kontakt me sulmuesin Zujoviq.

Zujoviq ishte dënuar në prill për nxitje të kryerjes së akteve terroriste.

Gjykata më e lartë e dënoi me tre vjet burgim në shkallë të parë, ndërsa vendimin përfundimtar do ta merrte gjykata e apelit, duke qenë se ky ishte një vendim i shkallës së dytë.

Ai është shpallur fajtor se në mënyrë të vazhdueshme dhe publike, përmes videove, fotove dhe teksteve, ka shprehur dhe transmetuar ide që indirekt inkurajojnë kryerjen e terrorizmit./aa