Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti turneun e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në vendet e Kaukazit Jugor si një përpjekje për të zgjeruar praninë e aleancës në rajon.
Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë, Peskov tha se paraqitja e NATO-s në Kaukaz vështirë se do t’i shtojë stabilitet dhe parashikueshmëri situatës në rajon.
“Ne jemi të vetëdijshëm për aspiratat e përbashkëta të NATO-s për të konsoliduar praninë e saj në Kaukaz dhe, siç thonë ata, ato janë të dukshme me sy të lirë. Ekziston gjithashtu një kuptim që përpjekjet e NATO-s për të zgjeruar disi ndikimin dhe praninë e saj nuk ka gjasa të shtojnë stabilitetin për Kaukazin dhe parashikueshmërinë e situatës”, theksoi Peskov.
Moska po e ndjek nga afër vizitën e Stoltenbergut, por synon të fokusohet kryesisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit, tha ai.
Stoltenberg nisi të dielën një turne treditor në tri vende në Kaukazin e Jugut. Ai u takua me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev në Baku dhe më pas udhëtoi për në Tblisi për takime me udhëheqjen gjeorgjiane. Ai u takua sot në Jerevan me kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe presidentin Vahagn Khachaturyan.
Duke komentuar raportimet se BE-ja planifikon të vendosë detyrime mbi drithin nga Rusia dhe Bjellorusia, Peskov tha se Kremlini do t’i analizojë ato. “Mbetet për t’u analizuar se në çfarë mase dhe në çfarë afati do të zbatohet kjo dhe nëse do të jetë fare. Është shumë herët për të bërë ndonjë përfundim”, theksoi ai.
Është raportuar se BE-ja po përgatitet të vendosë tarifa për importet e drithit nga Rusia dhe Bjellorusia për të qetësuar fermerët dhe disa shtete anëtare./aa