Albpetrol informoi se bashkimi i operatorëve ekonomikë “Euro Petrol Durrës Albania” dhe “R.B.H. Belinë” janë kualifikuar si oferta të suksesshme në ankandin për shitjen e 159 551 tonëve naftë bruto.
Sipas njoftimit të publikuar nga Albpetrol, bashkimi i operatorëve ekonomikë “Euro Petrol Durrës Albania” sha dhe “R.B.H. Belinë” sh.a., ka ofruar për këtë ankand çmimin: 72.26 % e çmimit brent – 4.04 USD/bbl + K (K= 0.0105 USD/bbl).
Albpetrol u kërkoi kompanive të paraqesin sigurimin e kontratës në vlerën 720,303,232.73 lekë, në masën 10 % të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentet e ankandit, dhe të nënshkruajnë kontratën brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi.
Nisur nga kjo, afërsisht përllogaritet që vlera e përgjithshme të jetë rreth 7.2 miliardë lekë.
Në rast se dy kompanitë ofertuese nuk pajtohen me këtë kërkesë, ose tërhiqen nga nënshkrimi i kontratës, do të konfiskohet sigurimi i ofertës dhe ankandi do të anulohet, siç parashikohet në legjislacionin në fuqi.
Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend Albpetrol prodhoi 68.95 mijë tonë naftë në vitin 2023.
Referuar statistikave të kompanisë, sasia e naftës së prodhuar rezulton më e ulët se në vitin 2022, kur u prodhua 70.5 mijë tone naftë.
Gati gjysma e sasisë së naftës së prodhuar, ose 48 %, u sigurua nga vendburimi Gorisht-Kocul. Në këtë vendburim në 2023 u prodhuan 32.9 mijë tonë naftë. Sipas Albpetrol vendburimi ka gjithsej 284 puse vertikale në inventar, prej të cilëve 142 puse janë aktivë për naftë e gaz./ata