Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot rezolutën mbi “Rritjen e fondit të kapitalit të autorizuar dhe regjistrimi/nënshkrimi në të”, të vitit 2023, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”.
Zëvendësministrja e Financave, Adela Xhemali në fjalën e saj në Komisionin për Politikën e Jashtme tha se aktualisht ka 1% aksione nga kapitali me një vlerë prej rreth 30 mijë euro dhe kërkohet miratimi nga Kuvendi për të rritur këto aksione me 4 milionë euro, të cilat do të paguhen në harkun kohor të 5 viteve.
“Nga BERZH Shqipëria ka përfituar rreth 1 miliard euro në projekte dhe do të vazhdojë të përfitojë, pasi BERZH është edhe pjesë e institucioneve financiare të lidhura me Komisionin Europian”, tha Xhemali.
Shqipëria është anëtare e BERZH që në vitin 1991.
Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi gjithashtu projektigjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”.
Altin Jani, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, tha se “në kuadër të bashkëpunimit që Gjeorgjia ka pasur ndër vite me NATO-n është parë e rëndësishme që edhe ne të nisim marrëveshjen e negocimit me Gjeorgjinë”.
“Thelbi i marrëvëshjes është shkëmbimi dhe mbrojtja e ndërsjellë e informacionit të klasifikuar”, tha Jani./ata