Banka e Shqipërisë publikoi Treguesit e Ndjesisë Ekonomike (TNE), sipas të cilit “gjendja financiare e bizneseve dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre është rritur në tremujorin e dytë, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024”.
“Në veçanti, në sektorët e industrisë dhe shërbimeve balanca e gjendjes financiare është zgjeruar me 7.7 pikë përqindjeje krahasuar me atë të një tremujori më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është rritur gjithashtu, në krahasim me tremujorin e parë, në të gjithë sektorët e biznesit. Rritja më e lartë ka rezultuar në sektorin e shërbimeve me rreth 3.1 pikë përqindjeje”, thekson BSH-ja.
Sipas BSH-së, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike qëndron 10.1 pikë përqindje mbi mesataren historike, ndonëse në qershor ra me 2.6 pikë.
Rënia e TNE-së këtë muaj u ndikua kryesisht nga dobësimi i treguesve në sektorin e tregtisë, të shërbimeve dhe të ndërtimit. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rënia e besimit në sektorin e industrisë dhe e besimit të konsumatorit./ata