Administrata doganore arkëtoi 110 miliardë lekë të ardhura në gjysmën e parë të këtij viti, me një rritje prej 7 miliardë lekësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
“Rritja e qëndrueshme e kërkesës për konsum, kryesisht për mallrat e akcizës, si karburante, cigare, kafe dhe pijet alkoolike, si dhe miradministrimi doganave, kanë sjellë 110 miliardë lekë të ardhura nga doganat për gjysmën e parë të vitit”, bën të ditur Dogana.
Sipas statistikave zyrtare, të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024 tejkaluan me 0.2 % të ardhurat e planifikuara doganore për 6-mujorin e vitit 2024.
Theksohet se tejkalimi i planit në gjysmën e parë të vitit është arritur pavarësisht efektit të madh të humbjes ne te ardhurat doganore që vijon të shkaktojë rënia e kursit të këmbimit te euros e dollarit amerikan, që për këtë hark kohor përllogaritet në 10.8 miliardë lekë.
Efektin kryesor tek të ardhurat nga doganat e kanë dhënë të ardhurat nga akciza. Gjatë kësaj periudhe u zhdoganuan 13 800 tonë karburant, 95 tonë cigare, 101 tonë kafe dhe 2900 tonë birrë më shumë./ata