Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi dhe miratoi të martën, si komision përgjegjës marrëveshjen e financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Greqisë dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA Greqi-Shqipëri 2021-2027.

Marrëveshja e cila parashikon alokimin e një granti nga Komisioni Evropian me vlerë 33.31 milionë euro, ku 26.65 milionë euro do të financohen nga BE dhe pjesa tjetër do të jetë bashkëfinancim i të dyja vendeve, u prezantua në Komisionin për Sigurinë Kombëtare nga zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello.

Bello në fjalën e saj tha se projekti do të shtrijë efektet nga ishujt e Jonit në Greqi deri në brigjet e detit Adriatik në Fier. Sipas saj, pjesë e projektit janë 34 000 hektarë tokë dhe përfshihen 5 qarqe.

“Objektivi i programit është të mbështesë rajonet ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, për një tranzicion të qetë dhe të integruar drejt ekonomive më të qëndrueshme për të kapërcyer pabarazitë dhe për të krijuar një menaxhim më të mirë ndërkufitar. Ka një sipërfaqe rreth 34 000 km katror në zonën nga të cilat 20 000 km katror në zonën ndërkufitare të Greqisë, dhe afërsisht 14 000 km katror në zonën ndërkufitarë të Shqipërisë. Më konkretisht zonat ndërkufitare në pjesën shqiptare që do të jenë përfituese të këtij programi janë qarku i Vlorës, i Gjirokastrës, i Korçës, i Beratit dhe i Fierit”, tha Bello.

Sipas Bellos, programi është hartuar nga strukturat kombëtare të të dyja vendeve përmes një komiteti të përbashkët të programimit në bashkëpunim me Komisionin Evropiane.

“Evidentimi i prioriteteve ka ardhur si pasojë e sfidave kryesore të përbashkëta, duke marrë parasysh ndryshimet ekonomike, sociale, territoriale, si edhe nevojat për investime të përbashkëta dhe mësimet që kanë dal prej përvojave të kaluara”, tha Bello.

Zv.ministrja u shpreh se “miratimi i kësaj marrëveshje financiare do të mundësoj zbatimin e përbashkët të projekteve si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi, duke mundësuar në këtë mënyrë një zhvillim gati të unifikuar të zonave ndërkufitare, përmes promovimit të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimi ndaj rrezikut nga fatkeqësitë, menaxhimi i qëndrueshëm të ujit, kalimi drejt një ekonomie qarkulluese, mbrojtja e natyrës, biodiveristeti dhe infrastruktura e gjelbërt dhe reduktimi i të gjitha formave të ndotjes”.

Bello rreshtoi dhe përfituesit nga ky program. Sipas saj, thirrja për të marrë grante do të jetë e hapur dhe me akses për të gjithë të interesuarit.

“Përfitues të këtij programi janë autoritete vendore, persona juridike, ojq, sipërmarrës ekonomik të vegjël apo të mesëm. Pushtete vendore, institucione, agjencitë e zhvillimit dhe shoqatat e biznesit, fermerëve etj. Aplikimet për projektet do të jenë të hapura dhe për akses. Programi do të zbatohet në menaxhimet ë përbashkët mes KE dhe Greqisë.

Vendet pjesëmarrëse do të ngrenë një sistem të përbashkët menaxhimi, koordinimin dhe mbikëqyrjen e programit. Në rastin e Shqipërisë, autoriteti kombëtar për këtë program, është ngritur tek Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC)”, përfundoi Bello./ata