Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha përkujtoi sot 2 korrikun, ditën kur shqiptarët për herë të parë rrëzuan murin e izolimit dhe u futën nëpër ambasada, me shpresën e vetëdijen se meritonin një jetë më të mirë.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se 34 vite më vonë, ndërsa përkujtohet ky moment i rëndësishëm i kujtesës sonë historike, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit.
Basha shkruan se demokratët euroatlantikë janë e vetmja alternativë për ndryshim.
“Korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes është diktatura e re që po shpopullon Shqipërinë, po varfëron familjet shqiptare dhe vret shpresën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, u shpreh Basha.
“Demokratët euroatlantikë janë gati për këtë ndryshim dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha shtresat shoqërore dhe forcat politike që ndajnë me ne vlerat për të cilat guximtarët e 2 Korrikut 1990 rrëzuan muret e diktaturës. Të bindur se Shqipëria meriton më shumë, të bashkuar kundër aleancave të errëta që duan të na mbajnë në vendnumëro, mund t’ia kthejmë shqiptarëve shpresën e humbur të Shqipërisë si Europa”, përfundoi Basha./ata