Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shtyu për në 11 korrik vendimin për afatet e hetimit për dosjen hetimore “Partizani”, ku nën hetim është dhe Berisha ndërkohë që në të njëjtën datë pritet edhe shqyrtimi i kërkesës së ish-kryeministrit për zbutje të masës së sigurisë.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit të kaluar.
Berisha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit”, lidhur me procedurat e ndjekura për privatizimin e ish kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, Berisha me veprimet e tij, dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, ky i fundit pjesëtar i një prej familjeve trashëgimtare, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Edhe Malltezi është nën hetim nga SPAK me të njëjtën masë sigurie si Berisha “arrest shtëpie”.
Të pranishëm në seancën e zhvilluar të martën ishin avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha Genc Gjokutaj dhe avokati Klodian Skënderi, mbrojtës ligjor i Jamarbër Malltezit. Të 2 mbrojtësit ligjorë kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën dhe Malltezin.
Po këtë të martë në seancë pritej të shqyrtohej afati dymujor i hetimeve të kryera nga SPAK, por Berisha dhe Malltezi nuk ishin informuar mbi mbajtjen e kësaj seance, e cila përkon dhe me përfundimin e afatit të hetimeve të kësaj dosje. Kësisoj, Prokuroria e Posaçme duhet t’i komunikonte avokatëve përfundimin ose shtyrjen e hetimeve me 3 muaj të tjerë.
Në këto kushte, Gjykata vendosi që trajtimi i çështjes të vazhdojë më 11 korrik. Pas seancës, mbrojtësi ligjor i Berishës, Genc Gjokutaj tha se çështja duhet pushuar. Sipas tij, çështja po shtyhet pa arsye.
“Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve”, tha Gjokutaj.
“Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin”, përfundoi Gjokutaj./ata