Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit.

 

Balluku bëri të ditur se teksa ka përfunduar puna për ndërtimin e të gjitha segmenteve rrugore të Rrugës së Arbrit, ende kanë mbetur edhe 400 metra pa hapur në tunelin e Murrizit, prej 3.8 km.

 

“Segmentet e Rrugës së Arbrit prej 70 km janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, ndërsa problematikë e madhe është hasur në tunelin e Murrizit, çka ka bërë edhe shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve”, tha Balluku.

 

Problemet gjeologjike kanë bërë që ky tunel të mos përfundojë në afatin e paracaktuar, prill 2022, por punimet të shtyhen edhe për 17 muaj.

 

Zv/kryeministrja Balluku deklaroi se aktualisht janë betonuar 2.2 km në të dy portat e tunelit prej 3.8 km.

 

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Evis Berberi theksoi se ka përfunduar edhe puna për hapjen e tunelit ndihmës prej 3.78 km. Aktualisht, tha ai, po punohet me betonimin. “Deri tani ka përfunduar puna për betonimin e 650 m”, u shpreh Berberi.

 

Sipas tij, në javën e parë të muajit gusht hapen përfundimisht akset rrugore nga dalja e tunelit deri në Shkallën e Tujanit në bajpasin e Murrizit për të zbritur në daljen e tunelit deri në Maqellarë.