Teksa në shumë vende perëndimore po diskutohet ideja e shkurtimti të ditëve të punës, në 4 ditë në javë, Greqia po shkon në anën e kundërt.
Më datë 1 Korrik hyri në fuqi ligji i ri në Greqi, për të bërë 6 ditë punë në javë, pra 48 orë, nga 5 ditë që ishte deri më tani.
Kjo është kundërshtuar nga sindikatat, që e kanë konsideruar si një “masë barbare”.
“Nuk ka asnjë kuptim. Kur çdo vend tjetër i civilizuar po miraton javën 4-ditore, Greqia shkon në anën tjetër”, thotë Akis Sotiropoulos nga sindikata e nëpunësve civilë.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kyriakos Mitsotakis, që është një mbështetës e bizneseve, thotë se kjo vendimmarrje ishte e nevojshme për shkak të tkurrjes së popullsisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar.
Rreth 500 mijë grekë, kryesisht të rinj të arsimuar, janë larguar nga Greqia që nga kriza ekonomike që shpërtheu në vitin 2009.
Skema 6-ditore e punës do të zbatohet vetëm për bizneset private që ofrojnë shërbime gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, stafet e punonjësve do të kenë mundësi që të punojnë 2 orë shtesë në ditë ose një turn shtesë 8-orarësh duke u paguar me 40% mbi pagën ditore.
Sipas qeverisë greke, kjo do të zgjidhë çështjen e mospagimit të punonjësve për oraret shtesë.
Por ky ligj i ri i miratuar në Parlamentin grek ka hasur në kundërshtimin e sindikatave.
Sipas Eurostatit, grekët punojnë me orët më të gjatë në Europë, mesatarisht 41 orë në javë. Përpos orëve të gjata, edhe pagesat lënë për të dëshiruar, thotë Eurostat.
Opozita e majtë greke e ka denoncuar shpesh nivelin e pagesës, duke e cilësuar “paga bullgare në një vend me çmimet britanike”. Sipas opozitës greke, ky fenomen ka ndikuar në largimin e trurit nga vendi.
Paga mesatare në Greqi është rreth 900 Euro. Drejtuesi i sindikatës së mësuesve në pension thotë se një pagesë e tillë zgjat deri në datën 20 të muajit në Greqi./Tema