Holanda triumfon 0-3 ndaj Rumanisë, me skuadrën e Koeman që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke dominuar kundërshtarin.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 0-1 falë golit të Gakpo në minutën e 20-të, me 25-vjeçarin që realizoi një gol shumë të bukur nga distanca dhe jo vetëm, por konfirmon momentin e mirë që po kalon pasi ky ishte goli i tretë në këtë Europian.

Rezultati mund të kishte ndryshuar nëse Depay dhe Simons do të ishin treguar më të saktë para portës rumune.

Në pjesën e dytë, sulmuesi i Liverpool realizoi edhe golin e dytë, por këtë herë, në minutën e 63-të Gakpo ishte në pozicion të parregullt.

Gjithsesi, Rumania nuk ia doli të reagonte dhe Gakpo ishte sërish protagonist, këtë herë me një asist për Malen, me ketë të fundit që realizoi golin e dytë në minutën e 83-të.

Sulmuesi i Dortmund realizoi edhe golin e tretë në minutën e tretë të shtesës duke kapitulluar Rumaninë që e mbyll këtu aventurën.

 

Në krahun tjetër, Holanda fiton dhe çon sinjale të forta për rivalët e saj, ndërsa rikthehet në çerekfinalet e Euopianit pas edicionit të vitit 2008./Tema