Vështirësitë ekonomike, shtrenjtimi i kostove të jetesës, pasiguritë në punë, kanë bërë që afro 36.4 për qind e çifteve në Shqipëri të mos “guxojnë” të sjellin në jetë fëmijë.
Të dhënat e Censit 2023, tregojnë se në total vendi ynë numëron 705 795 bërthama familjare, term që në statistikë tregon familje me lidhje gjaku mes tyre, nga të cilat 257 139 janë çifte të martuara, por pa fëmijë. Nga ana tjetër numërohen rreth 7743 çifte që bashkëjetojnë dhe nuk kanë fëmijë.
Mesa duket edhe politika e bonusit të lindjeve, përmes së cilës familjet përfitojnë një shpërblim 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë, nuk ka shërbyer mjaftueshëm si nxitje për çiftet e reja.
Nëse do ta krahasojmë me vitin 2011, numri i çifteve të martuara apo që bashkëjetojnë por që nuk kanë fëmijë është rritur me 69%.
Referuar të dhënave të Censit, 363 131 janë çifte të martuara me fëmijë, apo 48.55%. Sa i takon numrit të fëmijëve që kanë, numrin më të lartë e përbëjnë çiftet me tre fëmijë, rreth 152 345 prej tyre, ndërsa 150 669 janë çifte me dy fëmijë. Ndërsa një numër më të vogël zënë çiftet me më shumë fëmijë, ku ata me mbi 5 janë vetëm 10 730 të tillë.
Këto të dhëna nuk janë të specifikuara sipas moshës, për të bërë një ndarje midis çifteve të reja dhe atyre në moshë të madhe, por duke qenë se lindshmëria ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, duket se çiftet me tre fëmijë e sipër janë ata që kanë një moshë të madhe. Nga ana tjetër janë edhe 5 327 çifte që bashkëjetojnë por që kanë fëmijë.
Referuar të dhënave, regjistrohet një shifër shumë e lartë e nënave të vetme me fëmijë, në 60 447, të cilat janë nëna të pamartuara, të divorcuara apo që kanë humbur bashkëshortin/partnerin. Ndërsa baballarë të vetëm numërohen 12 008 në të gjithë vendin./Tema