Qeveria ka vendosur krijimin e regjistrit për kthimin e garancive shtetërore për mbajtjen, arkivimin dhe përditësimin e të dhënave të garancive e mbledhjen e të gjithë dokumentacionit dhe raportimeve të huadhënësve.

Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare,  regjistri për kthimin e garancive shtetërore, si bazë të dhënash, funksionon, administrohet dhe ndërvepron me bazat e tjera të të dhënave, në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetëror.

Të dhënat që përmban regjistri për kthimin e garancive shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndër të dhënat parësore për menaxhimin e garancive shtetërore do të konsiderohen kodi i identifikimit; produkti; përshkrim-veprimi; data e pagesës; shuma e disbursuar; statusi i këstit të principalit; data e shlyerjes së pagesës; principali; përqindja e mbulimit të principalit;  interesi dhe masa e mbulimit të interesit nga garancia; stoku; dokumentacioni në formë PDF-je; të dhëna lidhur me pasuritë e lëna si kolateral apo të sekuestruara; kthimet e garancisë nga huamarrësit.

Të dhëna dytësore për menaxhimin e garancive shtetërore do të konsiderohen; të dhënat për subjektin/personin fizik ose juridik; NIPT-i; të dhënat për gjenealitetet e individit (për personat fizikë, dorëzanësit apo administratorët e subjektit); numrin personal i identifikimit (ID) të subjektit apo të personit fizik; të dhënat e regjistrit tregtar për datën e regjistrimit të subjektit, emrin e subjektit /shoqërisë tregtare, numrin unik të identifikimit të subjektit, llojin e shoqërisë tregtare (formën e organizimit të saj); të dhënat e identifikimit të themeluesve; të dhënat për selinë/vendndodhjen e biznesit apo për administratorit; të dhënat lidhur me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme; të dhënat mbi statusin e kredisë në bankat e nivelit të dytë; të dhënat për statusin e pagesës së sigurimeve shoqërore.

Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera ndërvepron duke shkëmbyer të dhëna me databazat e regjistrave, me një pjesë të madhe institucionesh që disponojnë të dhëna në vend.

Të dhënat e mbledhura nga regjistri do të përdoren për: mbledhjen e borxhit; menaxhimin e skemave të veçanta të garancive të huas; kthimin e garancive shtetërore të huas; kthimin e huave dhe nënhuave të dhëna nga ministri përgjegjës për financat; verifikimin e aftësisë paguese të subjekteve huamarrëse, për të cilat është kryer pagesa e garancisë në secilën prej skemave të garancive të miratuara, të huave dhe nënhuave, të dhëna nga ministri përgjegjës për financat; përpunimin e analizave statistikore; identifikimin dhe raportimin në kohë reale të të dhënave lidhur me kredimarrësit apo nevoja të ndryshme të procesit të punës./Scan