Në zonën turistike të Velipojës, në Shkodër do të përmirësohet infrastrukturore rrugore, përmes fondeve të kredisë sovrane të BERZH-it, akorduar në kuadër të projektit për përmirësimin e infrastrukturës së turizmit në Shqipëri që po zbatohet prej disa vitesh në Shqipëri.

Projekti “Për infrastrukturën dhe turizmin në Shqipëri” financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për kontraktimin e kompanisë që do të kryejë punimet.

Projekti zhvillohet në Bashkinë e Shkodrës dhe është një vazhdim i projektit të urës së re mbi lumin Buna në zonën kufitare Shqipëri-Mali i Zi. Ky projekt do të lidhë urën mbi lumin Buna me rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pikën e kalimit kufitar dhe infrastrukturën ndihmëse. Ky projekt synon zonën kufitare bregdetare që shtrihet nga vija bregdetare veriore e Shqipërisë, deri në deltën e lumit Buna/Bojana në detin Adriatik.

E gjithë zona përfaqëson një potencial të madh turistik, me destinacione të njohura si Shëngjini dhe Velipoja në anën shqiptare, me plazhe të paeksploruara por të mrekullueshme si Rana e Hedhun, Rrjoll, me laguna, ishuj, kodra, parqe natyrore, lumenj etj dhe Ulqini në Mal të Zi me plazhe të mrekullueshme e të kripura dhe pasuri kulturore.
Rruga ekzistuese në të cilën shtrihet traseja e rrugës së re është një rrugë rurale që lidh zonën përreth fshatit Pulaj me Velipojën duke u lidhur me rrugën Shkodër-Velipojë. Rruga ekzistuese ka një gjerësi asfalti 3.5-4.0 m.

Në fund rruga lidhet me rrugën mbi argjinaturën përgjatë lumit Buna. Rruga ekzistuese ndodhet në një lartësi prej 0.5-1.5 m mbi nivelin e detit. Rruga ekzistuese nuk ka ndriçim, trotuare dhe sistem kullimi të ujërave të shiut.

Kryqëzimi i ri do të shtrihet në rrugën ekzistuese Shkodër-Velipojë, e cila ka një gjerësi asfalti 6.0 m (2 korsi x 3.0 m) dhe shpatulla të pashtruara nga të dy anët me gjerësi 1.5 m./ata