Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mohuar raportimin e mediave amerikane që sugjerojnë se Tel Avivi mund t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës ndërsa Hamasi mbetet në pushtet.
New York Times raportoi se gjeneralët më të lartë izraelitë duan të nisin një armëpushim në Gaza edhe nëse kjo mban Hamasin në pushtet për momentin.
“Të pa pajisur për luftime të mëtejshme pas luftës më të gjatë të Izraelit në dekada, gjeneralët gjithashtu mendojnë se forcave të tyre u duhet kohë për t’u rikuperuar në rast se një luftë tokësore shpërthen kundër Hezbollahut”, tha e përditshmja amerikane.
New York Times gjithashtu tha se ushtarakë izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti, besojnë se një armëpushim me Hamasin gjithashtu mund ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje me Hezbollahut.
Por kryeministri izraelit hodhi poshtë raportin e medias amerikane.
“Burime anonime që informojnë New York Times-in pohojnë se Izraeli dëshiron një armëpushim në Gaza edhe nëse e lë Hamasin në pushtet për momentin. Nuk e di kush janë ato palë pa emër, por unë jam këtu për ta bërë të qartë, kjo nuk do të ndodhë. Ne do t’i japim fund luftës vetëm pasi t’i kemi arritur të gjitha qëllimet, duke përfshirë eliminimin e Hamasit dhe lirimin e të gjitha pengjeve tanë”, tha Netanyahu.
Ai argumentoi se ushtria izraelite i ka “të gjitha mjetet për t’i arritur qëllimet”.
“Ne nuk do t’i dorëzohemi disfatizmit, as në New York YTimes dhe askund tjetër. Ne jemi të mbushur me frymën e fitores”, shtoi ai.
Gjithashtu edhe ushtria izraelite tha se është e vendosur të vazhdojë të luftojë për të arritur objektivat e luftës, duke përfshirë shkatërrimin e Hamasit, shpëtimin e pengjeve dhe sigurimin e një kthimi të sigurt të banorëve në Izraelin verior dhe jugor në shtëpitë e tyre.
Sot herët, media izraelite raportoi se ushtria po përgatitej të hyjë në fazën e tretë të operacioneve ushtarake të luftës në Gaza pas gati nëntë muajsh luftimesh.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Të paktën 37.900 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 87 mijë të tjerë janë plagosur. Mbi tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa