Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se mirëpresin procesin për vendosjen e paqes në Siri.

Peskov dha një deklaratë për gazetarët në lidhje me takimin mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Ai tha se takimi do të mbahet me kërkesë të dy liderëve. "Gjatë takimit do të diskutohen çështjet me interes të përbashkët. Së pari do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe. Të dy liderët do të diskutojnë për Sirinë dhe Ukrainën. Në rend dite është edhe çështja e vizitës së Putinit në Türkiye. Kjo vizitë do të bëhet kur të jetë dakorduar koha. Sot kemi mundësi të diskutojmë për vizitën", tha Peskov.

Sipas tij, takimi Putin-Erdoğan do të zhvillohet me pjesëmarrjen e delegacioneve dhe se Putini shpesh preferon të takohet ballë për ballë.

Peskov vlerësoi deklaratën e Erdoğanit për Sirinë. "Ne mirëpresim procesin për vendosjen e paqes në Siri. Rusia po bën përpjekje të mëdha në këtë drejtim. Ne mirëpresim kontaktet me vendet fqinje që do të mundësojnë zhvillimin më të suksesshëm të këtij procesi", tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit theksoi se të gjithë janë kundër terrorizmit. "Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha vendet, përfshirë Republikën e Türkiyes për këtë çështje", shtoi ai./aa