Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë ambasadore në Shqipëri nderojnë ato që luftuan për të drejtën e votës së grave.

 

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e Francës Elisabeth Barsacq, e Suedisë Elsa Hastad, e Izraelit Galit Peleg, e Zvicrës Ruth Haber, ambasadorja e Polonisë, Monika Zuchniak-Pazdan, e Greqisë Konstantina Kamitsi, kordinatorja e përhershme e OKB-së, Fiona Mccluney, si dhe përfaqësuesja e UNDP, Monica Merino, u bënë thirrje të gjitha grave në Shqipëri të votojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

 

“Më 14 maj shqiptarët shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre vendorë. Këto zgjedhje u japin qytetarëve të drejtën për t’u shprehur se si duhet të qeveriset komuniteti i tyre dhe mundësinë për të kërkuar llogari zyrtarëve përgjegjës për punën e tyre. Në ditën ndërkombëtare të gruas ne kujtojmë ata që luftuan fort për të drejtën e grave për të votuar”, thuhet në mesazhin e ambasadoreve.

 

Ambasadoret u kërkuan grave të përdorin votën e tyre për të kërkuar llogari më pas për mënyrën se si ato qeverisen.

 

“Secili prej nesh ka një arsye për të votuar, për arsimin dhe për shëndetin, për punë dhe mundësi ekonomike, për kopshte, parqe dhe kënde lojërash, për shërbime sociale dhe të aksesueshme, dhe ndihmë për ata që kanë mbetur pas, për ajër të pastër, gjelbërim dhe ujë të pijshëm nga rubineti. Jepini votës tuaj vlerë për shërbime më të mira lokale. Përdorni votën tuaj”, thuhet në mesazhin drejtuar grave nga ambasadoret.