Kryetari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, ka biseduar me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Lorenzo Fontana, gjatë vizitës së tij zyrtare në Romë.
Gjatë bisedës, Beqiroviq dhe Fontana theksuan se marrëdhëniet ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Italisë janë shumë të mira dhe miqësore. U konstatua se ka hapësirë shtesë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit, lidhjes së qyteteve dhe rajoneve, në veprim të përbashkët përmes organizatave ndërkombëtare dhe inkurajimin e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet qytetarëve të dy vendeve.
Beqiroviq theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të Bosnjë e Hercegovinës me Republikën e Italisë, shtet anëtar dhe themelues i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Gjithashtu, Italia është anëtare e një sërë nismash rajonale, si Iniciativa Adriatiko-Joniane, Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), Nisma e Evropës Qendrore (CEI).
Beqiroviq tha se Italia luan një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe ofron mbështetje të rëndësishme për shtetin e Bosnjë e Hercegovinës në proceset e tij reformuese, si dhe në integrimet evropiane dhe euroatlantike, sipas një njoftimi për shtyp nga Presidenca e BeH-së.
Angazhimi i saj për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe kontribuon në forcimin e paqes dhe sigurisë, si dhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit. Gjithashtu, Beqiroviq i propozoi Fontanës që Parlamenti i Italisë të miratojë një rezolutë në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës.
Fontana vuri në dukje se Italia është veçanërisht e përkushtuar për të promovuar integrimin evropian dhe euroatlantik të Bosnjë e Hercegovinës, duke ofruar asistencë teknike dhe këshillimore në procesin e reformës. Ai tha se deputetët italianë janë të informuar mirë për sfidat me të cilat ballafaqohet Bosnjë e Hercegovina dhe se janë të gatshëm të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Beqiroviq u shpreh i kënaqur që është hera e dytë në Romë që bisedon me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit italian, sepse 11 vjet më parë ai pati një bisedë me Presidenten Laura Boldrini si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamenti italian. Me atë rast, ai theksoi rëndësinë e rolit të diplomacisë parlamentare në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përfundoi Presidenca e BeH-së./TRT