Deputetja e Partisë Demokratike Zheni Gjergji tha sot se ngjarja tek Onkologjiku zbulon gjendjen në të cilën ndodhet sistemi shëndetësor.
Në fjalën e saj në interpelancën e kërkuar me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nga deputetët e opozitës, Gjergji tha se gjatë kësaj jave secili ka kuptuar se imazhi i shëndetësisë falas ra, u shkërmoq. Shëndetësia falas u mund nga kanceri pikërisht aty ku luftohet, tek korridoret dhe dhomat e Onkologjikut”.
“Ironikisht dha shpirt nga metastaza që ka mbërthyer gjithë sistemin shëndetësor, korrupsioni. Pas autopsisë së shëndetësisë falas të gjithë e pamë shkakun e së keqes ishte korrupsioni qeveritar i ministrave dhe ish-ministrave, i drejtorëve dhe ish-drejtorëve , i koordinatorëve patronazhistë e në fund i disa mjekëve bluzën e bardhë të të cilëve e ndot shpesh propaganda politike për të zhvendosur vëmendjen qytetare nga e vërteta e këtij dështimi”, theksoi Gjergji.
Këtë javë, vijoi ajo, u mor konfirmimi më i rëndë se përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendje ku është shëndetësia Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë nuk kanë aspak ndër mend të reflektojnë nuk kanë një plan nuk kanë një zgjidhje për këtë gangrenë.
“Shëndetësia falas mbeti utopi për shqiptarët dhe realitet për oligarkët e shëndetësisë që në këto 11 vite mbushën xhepat, u majmën në kurriz të shëndetit dhe jetës së çdo shqiptari”, nënvizoi Gjergji.
Gjergji tha se mungesat e vazhdueshme të ilaçeve janë kthyer në normalitet, që pajisjet mjekësore herë punojnë e herë nuk punojnë, që laboratorët në poliklinikat e spitaleve rajonale pas datës 15 e mbyllin aktivitetin e tyre dhe nuk marrin shërbim, që urgjenca polivalente e QSUT-së ka që prej shkurtit të këtij viti që nuk jep shërbim të plotë për shkak të një zjarri me shkak ende të pazbardhur nga drejtësia”./ata