Investimet e huaja direkte janë në rritje të vazhdueshme, të mbështetura sidomos nga sektori i pasurive të paluajtshme, por edhe vlerat e larta të fitimeve të riinvestuara në disa sektorë të ekonomisë.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%.

Të dhënat e tremujorit të parë të vitit konfirmojnë, në vija të përgjithshme tendencat e viteve të fundit. Këtu përfshihen sidomos sektori i industrisë nxjerrëse të hidrokarbureve dhe sektori financiar.

Kështu investimet e huaja në sektorin financiar, zunë 21% të totalit të investimeve, hidrokarburet në masën 13%, energjetika, në masën 5% dhe komunikacioni në masën 5%.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte vitin e kaluar shënuan vlerën e 1.49 miliard eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 22% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Ato arritën vlerën e 325 milion eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022./ata