“Gjysma e artë e vlerave, vitalitetit, potencialit, kontributit dhe shtyllave mbi të cilat qëndron shteti, simbolizohen me gruan”, u shpreh Policia e Shtetit në urimin drejtuar grave dhe vajzave për 8 Marsin.
“Policia e Shtetit ka qenë dhe vijon të mbetet garante dhe promovuese e këtij parimi që udhëheq të drejtat dhe liritë e njeriut. Për organizatën, prania e gruas i jep vlerë të shtuar misionit për siguri publike, fisnikëron shërbimin e Policisë në çdo skaj të vendit, si dhe vesh me humanizëm imazhin institucional të Policisë së Shtetit. Sot, thirrjes për ndihmë të një gruaje i përgjigjet një grua, e cila falë meritokracisë dhe profesionalizmit, jep kontributin e saj në hallkat më të larta të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Policia e Shtetit uron gëzuar 8 Marsin dhe zgjat dorën e bashkëpunimit, për të trajtuar me prioritet dhe kujdes, çdo rast kur e përfshirë është një grua”, përfundon urimin Policia e Shtetit.