Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se PL do të mbështesë çdo aksion opozitar.

Në një konferencë për mediet, Meta u ndal tek protesta kombëtare e thirrur nga opozita më 11 korrik përballë Kryeministrisë.

Meta tha se, “Partia e Lirisë është për të mbështetur çdo aksion opozitar përballë këtij narkoshteti dhe regjimi i cili është në mënyrën më të qartë një regjim kriminal”.

“Mjafton të shohim situatën në shëndetësi, bujqësi, shpopullimin, falimentimin e fermerëve vendas dhe favorizimin e importuesve të lidhur me qeverinë dhe pastaj në të gjitha fushat e tjera”, tha Meta.

Meta komentoi edhe arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me urdhër të SPAK pasi akuzohet për abuzimin me fondet e Bashkimit Europian, në kohën kur drejtonte Agjencinë për Koordinimin e Ndihmave Europiane.

Meta deklaroi se, korrupsioni në këtë sistem është aq i madh sa u pranua se janë vjedhur edhe fondet e BE.

“U pranua me shumë vonesë se janë vjedhur fondet e BE për bujqësinë”, tha Meta.

Ai u shpreh se, “thelbi i sistemit, mbetet i paprekur, thjesht prihen disa koka turku. Jemi vendi i parë në botë për korrupsion, i dytë për dhënien e ryshfetit”./ata