Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i bëri thirrje shqiptarëve që më 11 korrik t’i bashkohen opozitës për të protestuar para kryeministrisë.
Në fjalën e tij në Kuvend, Noka tha se “11 korriku është dita kur shqiptarët do të vërshojnë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ përballë simbolit të së keqes për të protestuar dhe për t’i thënë ndal”.
“Përballë një qeverie të tillë, ka vetëm një rrugë mosbindje civile dhe kryengritje. Ndaj 11 korriku është hapi i parë”, tha Noka.
Sipas tij, mazhoranca u faktua si mazhorancë që premtoi drejtësi dhe dha padrejtësi, pasi e kapi dhe e shndërroi Shqipërinë si të vetmin vend të Europës me drejtësi politike.
Noka u shpreh se “nuk besoj se ka qeveri në botë më pak legjitime se kjo qeveria e rilindjes”.
“Nuk besoj se ka qeveri në botë më të korruptuar se kjo sepse kjo është e korruptuar gjer në palcë, me bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit të zhytur në afera, disa prej të cilëve janë në burg, e faktuar se qeveria nuk vjedh vetëm taksat e shqiptarëve, u kapën duke vjedhur edhe fondet e BE-së dhe t’i lejë fermerët shqiptarë me gisht në gojë, sot e kësaj dite”, tha Noka./ata