Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shpreh mbështetje për SPAK dhe e inkurajon të veprojë kundër korrupsionit në nivelet e larta.

“Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit. Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferave korruptive të qeverisë Rama, arroganca dhe babëzia e së cilës nuk kursen as fondet e BE-së”, theksoi Basha.

“Shpreh mbështetjen e plotë për SPAK dhe e inkurajoj të veprojë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, i cili është një kërcënim për integrimin e vendit në BE, mirëqenien, sigurinë tonë kombëtare, për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë”, u shpreh Basha.

“Qytetarët shqiptarë presin drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë që drejtësia t’i shkojë deri në fund aferave korruptive”, nënvizoi Basha./ata