Kryetarja e bashkisë së Durrësit, e cila kandidon sërish në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e Partisë Socialiste, ishte e ftuara e radhës në episodin e tretë të podkastit “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama.

 

Kryeministri Rama e cilëson Sakon si arkitekten që kurrë s’ishte marrë me politikë, deri ditën që tërmeti e ngjiti në krye të bashkisë së Durrësit, ku prej 1094 ditësh ajo e ka shndërruar qytetin e saj në një prej më të pastërve në Shqipëri, falë një karakteri e serioziteti të posaçëm.

 

“Kryetarja e Bashkisë së Durrësit me të cilën jemi takuar në rrethana të jashtëzakonshme, në kuadrin e një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe në një komunikim të pazakonshëm. Të kujtohet?”, pyet Rama.

 

Sako tha se “Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë”.

 

Kryebashkiakja Sako foli edhe për jetën e saj.

 

“Kam lindur në Durrës në 1983 në nëntor edhe jam vajza e madhe e familjes. Kam dhe dy vëllezër të tjerë. Prindërit e mi janë njerëz të thjeshtë, pra bënin një punë, im atë në UMB pra në Uzinën Mekanike Bujqësore të Shkozetit, ndërsa nëna ime punonte në Telekom prej 32 vitesh, doli pastaj në asistencë në vitin 2007. Unë isha vajza e madhe e familjes si të thuash isha gëzimi i parë. Pas një viti lindi vëllai im dhe pas 10 vitesh me dëshirën për të pasur një vajzë tjetër lindi vëllai im tjetër. Kështu që kjo është familja ime. Ne jetonim në një apartament të vogël ku jetojnë dhe prindërit e mi sot bashkë me gjyshërit sepse ishim një familje nga ato klasiket ku jetonin tre brezat bashkë, siç ka qenë shumica e shqiptarëve”, theksoi Sako.

 

Rama e pyet Sakon se çfarë kujton nga fëmijëria në Durrës dhe si e kujton sot fëmijërinë me sytë e kryetares së bashkisë së Durrësit.

 

“”Ok, e vështirë. Si fëmijë ajo që kujtoj gjithmonë që e krahasoj dhe me fëmijët e mi është që iknim në shkollë vetëm, pra pa na shoqëruar njeri. Në klasën e parë mbase më kanë shoqëruar prindërit pastaj në klasën e dytë që i bie 8 vjeçe, çantën në kurriz e kalo tre katër rrugë deri sa të arrish në shkollë. Kujtoj praktikisht rrugën e shkollës, nga Biblioteka deri te ish- dentistët, shkolla “Dalip Tabaku” quhej atëherë, sot është “Jusuf Kuka”. Kujtoj, duke qenë se ime më punonte në Telekom shpeshherë shkoja dhe te puna e saj që bëja detyrat dhe lagjen e Kuminit, e cila nuk ka pasur një metamorfozë të madhe në krahasim me çfarë ka ndodhur në pjesën tjetër të qytetit të Durrësit. Dhe patjetër kujtoj rrugën e plazhit, të Currilave, pra nga shtëpia shkonim në këmbë nëpërmjet kodrës së Vilës, zbrisnim atje maloren për të arritur në plazh dhe kjo ishte një nder pjesët më të lumtura të fëmijërisë apo të një kujtese të një fëmije le të themi”.

 

Teksa kryebashkiakja po fliste për jetën e saj dhe fëmijërinë, Rama e pyeti nëse mbante mend gjë nga ikjet dramatike të Durrësit.

 

Sako tha se “Po, patjetër. Mendoj që këto kujtime kanë mbetur aty për më shumë sesa 30 vite deri kur në 8 gusht të vitit 2021 ne patëm një aktivitet me qytetin e Barit,  pra bashkia Durrës dhe bashkia e Barit, pati një aktivitet, i cili u bë dhe në Durrës dhe në Bari në kujtim të nisjes së anijes “Vlora”. Patëm ekspozita, takime dhe në ekspozita duke parë foto të ekspozitave mua më erdhi në kujtesë një pamje nga shtëpia ime dhe kujtoj që anijet që qëndronin në port nxinin nga njerëzit, por këtë gjë nuk kisha si ta kuptoja, nëse nuk po ndodhte diçka brenda shtëpisë time. Pra, kjo mund të ishte thjeshtë një pamje që humbte në sytë e një fëmije, por brenda shtëpisë time im atë bëhet gati që të niset për në Itali. Vishet, merr bukë me vete dhe priste një shokun e vet që të niseshin të dy. Në atë kohë gjyshja ime u alarmua sepse ne sigurisht ne e dinim që duhet të iknim, por jo pse duhet të iknim atje dhe nuk mund të iknim ne komplet si familje sepse ne ishim shumë të vegjël, unë dhe vëllai im, kështu që do nisej vetëm babai im. Ndërkohë gjyshja i lutej që “mos u nis, ke fëmije të vegjël, kush do kujdeset, babai jot është i paralizuar”, etj me radhë dhe këto e bënë atë që mos të nisej. Por ky diskutim brenda familjes shënoi, la një shenjë si të thuash në kujtesën time që në atë kohë isha 8 vjeçe. Nëse im atë do ishte nisur, besoj që nuk do ishim duke folur në këtë Podcast”.

 

Pasi foli për jetën e saj, biseda u fokusa tek qyteti i Durrësit dhe puna e saj.

 

Sako tha se Durrësi gjatë 20 viteve të fundit ka pësuar transformim është bërë më modern dhe i pastër.

 

“Për të ardhur tek Durrësi sot, si e shikon ti me sytë e tu? Unë kam qenë kryetar bashkie dhe unë e di që të jesh kryetar bashkie dhe ta bësh punën me përkushtim kthehet në njëfarë mënyrë në një sëmundje për të jetuar në mënyrë kaq intensive me detaje të caktuara sa nuk të lëshon më. Për shembull, unë edhe sot, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë e kam instiktive që shoh kazanët, koshat, bordurat, pluhurin, ato tabelat e lokaleve, padiskutim pastaj pjesën e urbanistikës dhe arkitekturës që e kam pasur pasion, por flas për këto aspektet e shërbimeve të përditshme. Si e shikon sot, në këtë aspekt, Durrësin midis asaj që ishte, midis asaj që është dhe asaj që ti mendon se duhet të jetë?”, u shpreh Rama.

 

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako theksoi se “Durrësi ka pësuar një transformim të vazhdueshëm në këtë 20-vjeçar, është një qytet, i cili është bërë më modern, më i hapur, ka një rritje të madhe të numrit të turistëve, shkon çdo vit në rritje dhe kjo patjetër ndikon tek shërbimet, tek cilësia e shërbimeve që jep sektori i biznesit, por unë gjatë punës time jam përpjekur të merrem me, ato punët e shtëpisë siç quhen; pra, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi, pra i kam dhënë një prioritet shumë të madh”.

 

“Sot, patjetër që Durrësi është një qytet më i pastër, këtë e thonë të gjithë banorët e tij. Nuk mund të them që jam e kënaqur nga puna; nga puna ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar dhe për të bërë më shumë, por edhe me projektet madhore që ne kemi së bashku, mendojmë që do t’i japim një vend të ri të qytetit tonë, jo vetëm në rolin që ka në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar”, tha Sako.

 

Kryeministri Rama theksoi se “unë e besoj këtë, por le të mos kalojmë këtë pjesën që e kemi dhe kur na dëgjojnë të tjerët, të vazhdojmë të flasim e të bëjmë këtë muhabetin që nuk na dëgjon njeri këtu. Përtej këtyre gjërave që janë detyrat e mëdha dhe të përditshme, kur vjen puna tek një qytet si Durrësi, edhe pse është një qytet i madh relativisht në Shqipëri, është një qytet shumë i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe të drejtosh një qytet ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin siç ishte deri diku, jo plotësisht, Tirana, ku unë kam qenë kryetar bashkie, është pjesa më e vështirë e punës dhe është pjesa ku ndahet rruga midis një drejtuesi që e ka në vëmendje të përditshme, jo me fjalë, por me atë përkushtimin e vogël dhe ezaurues nga nervat ndaj individëve që i ndesh rrugës për 1001 halle dhe atij që nuk e ka dhe që i sheh të gjithë nga lart. Ti i përket kategorisë së parë dhe kjo është, mendoj unë, forca më e madhe e jotja që nuk ia përton kësaj pjese. Pra ato sforcot fizike të trupit dhe të gjuhës, i kompenson me këtë sforcon tjetër të durimit të brendshëm e të përkushtimin për të dëgjuar njerëzit e për t’u qëndruar nga mbrapa njerëzve e kjo ndoshta është dhe ajo që të energjizon më shumë”.

 

Sako tha se “është e vërtetë, kam shumë durim, jam karakterizuar gjithmonë, por në mënyrë të veçantë kjo është një punë që kërkon durim dhe kërkon t’i shkosh deri në fund gjërave, kërkon që pra unë mund të kem, t’i dëgjosh njerëzit me kujdes, pra unë mund të kemi 1000 probleme në kokë, ama kur dëgjoj një pensionist apo një qytetar, i cili kërkon banesë sociale, i ngri këto 1000 problemet e mia e të fokusohem tek problemi i tij. Plus përpiqem që të mos neglizhoj asnjë gjë nga kërkesat, nga gjërat që shoh, edhe kur takoj njerëz në rrugë që më thonë është prishur ai stoli atje, përpiqem që këtë gjë ta mbaj shënim e ta ndjek personalisht deri sa të bëhet, pra unë përpiqem që edhe të flas me stafin, të komunikoj pra njësoj si në familje, pra ta shpjegoj këtë gjë që është shumë e rëndësishme, koherenca”.

 

Rama e pyet kryebashkiaken Sako: Sa herë gjatë gjithë kësaj periudhe trevjeçare, sa herë ke menduar që çfarë merrem me këtë punë, më mirë ta lë fare?

 

“Asnjëherë. Ka pasur lodhje shumë domethënë. Unë e kam marrë detyrën në 23 prill të 2020 dhe e diela e parë që kam qëndruar paradite, pra që nuk kam shkuar në bashki fizikisht, ka qenë mbase gushti i 2021. Pra kjo ka qenë një kohë shumë intensive pune por unë e kam parë si një mundësi”, tha Sako.

 

Pyetjes se sa herë të ka thënë burri ca merresh me këtë punë, lëre fare, Sako u përgjigj se “i kam thënë që para se të thoja po, i kam thënë, po të pyes që mos më thuash pastaj pse s’na pyete, më le mua me kalamajtë apo i le kalamajtë rrugëve.  E kur më thotë kështu, i them që të pyeta”.