Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mori pjesë në tryezën e Shëndetësisë, ku duke iu referuar ngjarjes tek Onkologjiku theksoi se “shëndetësia sot është në pikë të hallit”.

Në fjalën e tij Meta tha se “tryeza e sotme mblidhet në një moment tepër delikat, sepse pas ngjarjeve tek spitali Onkologjik, problemet e rënda të shëndetësisë janë sot në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Shëndetësia tashmë është një aneks, ose më mirë me thënë një apendiks, zgjatim apo një skutë qorre në Ministrinë e Çështjeve Sociale ku e kanë ngjeshur”.

Meta theksoi se shëndetësia është e plaçkitur dhe e mbytur nga korrupsioni.

“E demotivuar dhe e përbuzur si asnjëherë në historinë e saj përfshirë edhe diktaturën, shëndetësia sot nuk ka më asnjë orientim as strategjik, as ekzekutiv, as legjislativ dhe as fuqi t’i përgjigjet përditshmërisë”, tha Meta.

Meta u shpreh se “numri i pacientëve me sëmundjet tumorale është gjithnjë e në rritje, dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në vend, duke shkaktuar 16% të tyre, por në mënyrë skandaloze buxheti për Onkologjikun zë një peshë mjaft të vogël në buxhetin e QSUT-së”.

“6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale regjistrohen çdo vit në vend. Pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ka zënë 11.7%, për vitin 2021 ka zënë 7.4% dhe në vitin 2022 ka zënë 7.9% të shpenzimeve faktike totale të QSUNT, pra në vend që të rritet vazhdon të ulet. Vetëm për mungesë të brakiterapisë, e vetmja aparaturë për trajtimin e grave me kancer të qafës së mitrës, ka sjellë mostrajtimin për 600 gra paciente me radioterapi, që përbën rrezik konstant për jetën e tyre”, theksoi Meta.

Sipas tij, QSUT do të financohet me 7.8 miliardë lekë, shumë kjo sa 23 % e fondit prej rreth 33 miliardë lekësh, që do të ndahet në 2024 për spitalet.

“Por nga ana tjetër QSUT përballon gati gjysmën e volumit të punës që ofrojnë spitalet tona publike në rang vendi. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2022 rreth 278 mijë persona u shtruan në spital, ku rreth 115 mijë ose 42 % u shtruan në pavijonet e spitalit universitar “Nënë Tereza”. Nevojat për ilaçe në QSUT janë 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim”, tha Meta./ata